U refuzua fëmijë nga Rangers, Bologna e mori falas

Bologna e Thiago Mottas është një realitet i bukur i këtij sezoni në Serie A, pasi po ofron një futboll tërheqës dhe për më tepër, ia ka dalë të marrë rezultate, ndërsa disa yje të rinj kanë filluar të vijnë në pah. E gjithë kjo vëmendje është edhe një reklamë e mirë  për disa nga lojtarët kryesorë të Bolognas, e ku njëri prej tyre është edhe mesfushori Lewis Ferguson. Në verën e vitit 2022 ai erdhi falas te klubi italian Bologna dhe që në sezonin e parë shënoi shtatë gola, duke u përshtatur menjëherë me futbollin në Serie A. Skocezi në këtë sezon ka shënuar gjashtë gola si dhe ka dhënë katër asistime, duke e shndërruar në një “synim” shumë të dëshiruar për klubet e mëdha të Serie A. Agjenti i 24-vjeçarit, Bill McMurdo, ka treguar se si ish lojtari i Hamilton dhe Aberdeen në Skoci, ishte refuzuar nga gjiganti i këtij vendi Rangers. “Ferguson e pëlqen futbollin italian, madje në moshën 14-vjeçare Rangers nuk e pranoi. Por, ai erdhi tek unë dhe më tha se nuk ishte i mërzitur duke më siguruar se një ditë do të luante në Serie A. Që në moshën 14-vjeçare e dinte se do të luante në Itali”, ka thënë McMurdo.

sfidanti.al