Ricardo Gareca publikoi të premten listën e Kilit për dy miqësoret kundër Shqipërisë (22 mars) dhe Francës (26). 66-vjeçari vjeçari do të debutojë në pankinën e La Roya pikërisht përballë kuqezinjve të Sylvinhos. Duel i programuar të zhvillohet në Itali, në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmës. Pasi la jashtë Gary Medel (zgjedhje teknike) dhe Arturo Vidal (i sapo kthyer nga dëmtimi), trajneri i Kilit vendosi të mos grumbullonte as Ben Brereton Diaz. Sulmuesin e majtë që luan në Sheffield United në Premier League, aty ku u huazua në ditët e para të janarit nga spanjollët e Villarealit. Shkaku? 24-vjeçari i lindur në Angli, nuk di të flasë spanjisht! Dhe kaq mjafton që të mos jetë pjesë e kombëtares së origjinës (27 ndeshje dhe 7 gola). “Ai thirret rregullisht nga Kili prej dy vitesh. Ka patur kohë të mjaftueshme të mësonte spanjishten. Nëse ka vërtetë interes të luajë me ekipin kombëtar, le të mësojë gjuhën. Më ka befasuar shumë fakti që ai nuk flet spanjisht! Sigurisht që nuk është pengesë, por unë dua që Ben të nisë mësimin e gjuhës. Pasi komunikimi është thelbësor, brenda dhe jashtë fushës”, bëri të qartë Gareca, i cili do të përjetojë ndeshjen e parë si trajner i Kilit kundër Shqipërisë.
sfidanti.al