Shqipëria e vajzave njohu sot kundërshtaret që do të ketë përballë në kualifikueset e Europianit “Zvicër 2025”. Në shortin e hedhur në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, Shqipëria është pozicionuar në grupin C5, ku do të përballet me Estoninë dhe Luksemburgun.
Ndeshjet kualifikuese do të zhvillohen sipas sistemit vajtje-ardhje dhe sipas kalendarit të UEFA-s, takimet e kësaj faze do të nisin në muajin prill dhe sfidat përmbyllëse do të luhen në korrik.
Pas përfundimit të ndeshjeve kualifikuese, do të nisë faza Play-off. Kombëtarja e vajzave mund të kualifikohet në këtë fazë nëse renditet e para në grupin C, ose si një nga tre vendet e dyta më të mira. Në rast kualifikimi në fazën Play-off, Shqipëria do të përballet me një nga katër skuadrat e vendin të tretë dhe të katërt të çdo grupi në Ligën A.
Ndërsa në vazon e dytë të raundit të parë të Play-off-it do të përballen, katër vendet e para, të dyta dhe të treta të Ligës B me sistem vajtje-ardhje dhe në raundin e dytë do të kualifikohen gjashtë ekipet më të mira. Më pas, skuadrat e kualifikuara në raundin e dytë do të përballen më njëra-tjetrën, po me sistem vajtje-ardhje nga ku do të përcaktohen edhe shtatë ekipet e tjera që do të shkojnë në finalet e Europianit.
Gjithashtu sipas skemës së përcaktuar nga UEFA, pesë ekipet e Ligës C që dalin në krye të grupeve përkatëse do të ngjiten direkt në Ligën B.
sfidanti.al