Rihapja e basteve sportive dhe lojërave të fatit ka disa muaj që zvarritet në komisionet e posaçme parlamentare, në mënyrë që të gjendej një gjuhë e përbashkët mes qeverisë dhe grupeve të interesit. Ndryshimet që parashikojnë rinisjen e këtyre aktiviteteve kaluan në parlament në një formë të pazakontë, pa një diskutim publik mes ligjvënësve dhe me 72 vota pro me një votim të shpejtë nga mazhoranca.
Në projektligjin që diskutohet prej shumë muajsh, parashikohen disa ndryshime të rëndësishme, teksa siç specifikohen në amendamendin e publikuar nga Kuvendi thuhet se bastet do të funksionojnë vetëm online dhe do të licencohen 10 kompani, për një periudhë 10 vjeçare.Po ashtu është miratuar ndryshimi për moshën e e lejuar për lojtarët nga mbi 21 vjeç në mbi 18 vjeç. Kompanitë e liçensuara do e kenë të ndaluar të sponsorizojnë klubeve sportive, një çështje që ishte e befasishme. Ashtu siç ishte dhe lëvizja e ditëve të fundit për t’i hequr disa kompetenca FSHF dhe KOKSH-it në Këshillin e Projekteve. Pikërisht këto ndryshime u propozuan nga Erion Braçe dhe u miratuan nga Këshilli i Ekonomisë. Sa i takon kompanive që duan të marrin një licencë duhet të ndjekin disa hapa të rëndësishëm. Tani do të jetë Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit që do të hapë garën, si përgjegjsë i këtij sektori. Komisioni i licencave do të shqyrtojë aplikimet që do të bëhen e më pas do të përcaktohen fituesit që do të kalojnë sërish në filtrin e Këshillit të MInistrave e më pas në Kuvend, para se të nisin punën. Kompanitë që do të marrin këto licenca do të duhet të përmbushin disa kritere të domososhme. Subjekti duhet të ketë një kapital themeltar jo më pak se njëzet milionë lekë të rinj. Kompania duhet të ketë përvojë në fushën e lojërave të fatit në jo me pak se 3 shtete të BE. Komania kandidate duhet të ketë kapacitetet e duhura financiare, administruese, organizative dhe besueshmërinë. Asnjë prej aksionerëve të kompanisë nuk duhet të ketë qenë i dënuar penalisht. Subjekti nuk duhet të jetë në proces ekzekutimi të detyrueshëm për detyrime pasurore të pashlyera, si dhe subjekti aplikues nuk duhet të ketë detyrime tatimore të pashlyera. Tarifa e licensimit do të jetë 400 milionë lekë për periudhen e licencimit, ndërkohë që kompanitë po ashtu duhet të ngrijnë një fond që shkon deri në 120 milionë lekë si garanci për detyrimet shtetërore dhe për fituesit. Krahas tarifës së licencimit, shteti merr dhe 15% të xhiros që përllogaritet rreth 2 miliardë lekë. Sipas asaj që është parashikuar do të krijohet një Fond i Posaçëm, që do të jetë i dedikuar për mbështetje direkte në fushën e sportit, kulturës, inovacionit dhe teknologjisë së inovacionit. Ky fond krijohet si zë më vete në buxhetin e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, që do të përdoret për mbështetjen e projekteve në fushën e sportit, kulturës, inovacionit dhe teknologjisë së inovacionit, në bazë të kërkesës për financimin e projekteve të paraqitura nga institucionet shtetërore, pas marrjes së mendimit të institucioneve publike të fushës.
sfidanti.al