9 vite në Manchester, sulmuesi drejt largimit nga United

Aventura e Anthony Martial te Manchester United mund të përfundojë verën e ardhshme. I ardhur 9 vite më parë për 60 milionë euro nga Monaco, sulmuesi francez mund të ndërrojë mjedis. Kontrata e lojtarit skadon në qershor dhe ka dyshime të forta për gatishmërinë e “Djajve të Kuq” për zgjatjen e bashkëpunimit. United ka kohë që dëgjon propozimet e klubeve të interesuara dhe do të donte ta shiste në janar, në mënyrë që të rikuperonte të paktën një pjesë të vogël të investimit të bërë në vitin 2015, por Martial vendosi të qëndrojë. Martial i ka thënë jo Fenerbahçes dhe disa skuadrave të Arabisë Saudite, me të ardhmen që mbetet ende enigmë. Këtë sezon, ai ka luajtur 19 ndeshje në të gjitha garat, ku ka realizuar  dy gola dhe ka dhuruar dy asiste. Disa klube të Ligue 1 po ndjekin gjurmët e tij, sondazhet e Monacos dhe Marseille do të konkretizohen ndoshta pas disa muajsh.

sfidanti.al