Grupi B1, Shqipëria “peshkon” Çekinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë

Veprimtaria e dytë e përfaqësueseve të kontinentit evropian, Liga e Kombeve, ka hedhur të enjten në mbrëmje në kryeqytetin e Francës, Paris, shortin e fazës së grupeve për edicionin 2024-2025, që është edhe edicioni i 4-t i saj. Dhe Shqipëria, e cila ndodhet në nivelin e dytë, në Ligën B, ka njohur kundërshtaret e saj në grup, një grup që në fakt mund të quhet një grup evropianolindor. Kështu, kuqezinjtë e trajnerit Silvinjo do të përballen në grupin e parë, B1, me Republikën Çeke, Ukrainën dhe Gjeorgjinë, kundërshtarë pak a shumë të njohur për Shqipërinë.

Me çekët, Kombëtarja ishte në grupin e Eliminatoreve të Evropianit 2024, duke u marrë një barazim në shtëpinë e tyre, duke i mundur bindshëm në Stadiumin “Arena Kombëtare” dhe duke i lënë në vendin e dytë të renditjes në rrugën drejt Gjermanisë. Ndërkaq, edhe Kosova ka njohur kundërshtaret e saj në grupin e nivelit të 3-të të Ligës së Kombeve, në Ligën C, aty ku do të përballet me Rumaninë, Qipron, por edhe fituesen e çiftit të “play-off”-it që do të luhet në mars midis Lituanisë dhe Gjibraltarit.

Siç dihet tashmë, ndeshja e parë e fazës së grupeve do të luhet në datat 5-7 shtator 2024, ndeshja e dytë në datat 8-10 shtator, ndeshja e 3-të në datat 10-12 tetor, ajo e 4-t në datat 13-15 tetor, ajo e 5-ta në data 14-16 nëntor dhe ndeshja e 6-të dhe e fundit më 17-19 nëntor 2024.

Pozitiv për Shqipërinë është fakti se, përveç vendit të parë në grup, që ngjitet automatikisht në Ligën A, edhe skuadra e vendit të dytë në grupet e Ligës B, shkon në një “play-off” me të 3-tën e Ligës A, duke patur kështu një tjetër mundësi për të synuar ngjitjen.

Shorti i Ligës së Kombeve

Liga A

Grupi 1: Kroacia, Portugalia, Polonia, Skocia

Grupi 2: Italia, Belgjika, Franca, Izraeli

Grupi 3: Holanda, Hungaria, Gjermania, Bosnja

Grupi 4: Spanja, Danimarka, Zvicra, Serbia

Liga B

Grupi 1: Çekia, Ukraina, Shqipëria, Gjeorgjia

Grupi 2: Anglia, Finlanda, Irlanda, Greqia

Grupi 3: Austria, Norvegjia, Sllovenia, Kazakistani

Grupi 4: Uellsi, Islanda, Mali i Zi, Turqia

Liga C

Grupi 1: Suedia, Azerbajxhani, Sllovakia, Estonia

Grupi 2: Rumania, Kosova, Qipro, Lituani/Gjibraltar

Grupi 3: Luksemburgu, Bullgaria, Irlanda e Veriut, Bjellorusia

Grupi 4: Armenia, Ishujt Faroe, Maqedonia e Veriut, Letonia

Liga D

Grupi 1: Lituani/Gjibraltar, San Marino, Lihtenshtejn

Grupi 2: Moldavia, Malta, Andorra

Liga të cilës i përkasin Lituania dhe Gjibraltari do të përcaktohen nga play-out në mars 2024.

sfidanti.al