Milani barazon derbin në frymën e fundit, nuk meritonte të humbiste

Ndeshja luhet deri në minutën e 90-të. Jo, luhet edhe deri në minutën e 97-të, kur vërshëllen për herë të fundit gjyqtari. Milani besoi dhe meritoi barazimin në derbin e qytetit ndaj Interit, në javën e 32-të të Serisë A. E meritoi jo vetëm sepse luajti deri në fund, por mbi të gjitha sepse paraqitja e tij ishte më e mirë sesa ajo e zikaltërve.

Skuadra e trajnerit Vinçenco Montela e nisi më mirë ndeshjen në “San Siro”, pa u tronditur aspak që luhej në fushë të Interit, me epërsi dërrmuese të tifozëve kundërshtarë. Deulofeu mbi të gjithë, por edhe Baka, Suso apo Kuçka patën shanse që të shënonin. Ironia dhe ligji i futbollit janë që kur nuk shënon rrezikon të pësosh dhe kështu ndodhi. Në një nga aksionet e rralla interste, Kandreva mposhti Donarumën.

Epërsia i dha qetësi të besuarve të trajnerit Pioli, të cilët vunë lojën nën kontroll. Pikërisht në fund të pjesës së parë shënuan edhe golin e dytë. Mauro Ikardi më në fund shënoi një rrjetë nga aksioni pas shumë muajsh, dhe u duk se derbi do të ishte i Interit. Më e lehtë për t’u dhënë se për t’u bërë. Pavarësisht se rezultati ishte shumë komod, dhe pavarësisht se zikaltërit krijuan edhe raste të tjera, ndeshja nuk ishte e mbyllur.

Milani, shtyrë nga një trajner ambicioz si Montela, dhe nga lojtarë të rinj, të talentuar dhe që nuk dorëzohen kurrë, këmbënguli fort. Frytët i mori në minutat e fundit. Fillimisht në të 82-ën Romanjoli shkurtoi dizavantazhin dhe barazimi u bë më i arritshëm. Pasi Interi fali në minutën e 96-të, milanistët shfrytëzuan kohën që u dha gjyqtari.

Barazoi Zapata me një nga ata gola për të cilët duhet teknologjia, duke shmangur një humbje të pamerituar. Milani mbeti mbi Interin në renditje, ndërsa të dyja skuadrat kanë shpresë për t’u kualifikuar të paktën për në Ligën e Europës.

Sfidanti.al