Nga “speciali” në të “padëshituarin”, Mourinho tani rrezikon shkarkimin

Brenda një jave ka ndryshuar situata në të cilën ndodhet trajneri i Romës, José Mourinho. Fillimisht qarkullonin zërat për rinovimin e kontratës, ndërsa tashmë dominojnë ato për një shkarkim të mundshëm. Humbja në derbin kundër Lazios, që solli eliminimin nga Kupa e Italisë dhe disfata e mbrëmshme përballë Milanit në kampionat kanë komplikuar pozicionin e teknikut portugez.

Nuk bëhet fjalë vetëm për rezultate negative (aktualisht Roma ndodhet 5 pikë larg zonës Champions), por duket se verdhekuqtë kanë humbur idetë, personalitetin dhe projektin taktik. Deklaratat e Mourinhos nuk ndihmojnë aspak grupin në këtë situatë. Portugezi duket se është kundër të gjithëve: kundër gjyqtarëve, kundërshtarëve, madje edhe vetë drejtuesve të klubit. Duket shumë e vështirë që familja Friedkin ti rinovojë kontratën, madje aventura e portugezit në kryeqytetin italian mund të përfundojë para kohe nëse nuk merren 6 pikë në dy ndeshjet e ardhshme në kampionat kundër Veronës dhe Salernitanës. Mourinho rrezikon shkarkimin dhe kanë filluar që tani të qarkullojnë emrat e zëvendësuesve. Mes kandidatëve është edhe Daniele De Rossi, “djalë” i Romës, që gjithmonë ka treguar dashuri për ngjyrat verdhekuqe.

sfidanti.al