Kjo është mundësia që Armando Broja e ka pritur, mundësi të cilën ai e di se duhet ta shfrytëzojë. Këtë javë, Nikolas Xhekson i është bashkuar përfaqësueses së vendit të tij, Senegalit, në përgatitje për pjesëmarrjen në Kupën e Kombeve të Afrikës. Nëse Senegali shkon në finalen e 11 shkurtit, ashtu siç edhe shpreson, dhe Çelsi e mposht Preston North Endin të shtunën në turin e 3-të të Kupës së Anglisë (FA Cup), sulmuesi mund t’i humbë deri në 8 ndeshje me skuadrën londineze. Në mungesë të senegalezit, 22-vjeçari Broja mbetet i vetmi qendërsulmues në skuadrën e bluve të kryeqytetit britanik. Kristopher Nkunku është aktivizuar vetëm në 4 ndeshje pas dëmtimit në gju, por nuk vlerësohet se mund ta udhëheqë linjën e sulmit. Për më tepër, ai preferon të mos e ketë të njëjtin rol si Broja dhe Xheksoni.
Në këtë periudhë trajneri Mauricio Poçetino mund ta përdorë Brojën rregullisht. Në fakt, futbollisti që përfaqëson Shqipërinë ka pasur rol të rëndësishëm deri tani. Kur kanë kaluar 5 muaj prej fillimit të kampionatit, Broja ka qenë titullar në vetëm 5 ndeshje dhe 9 të tjera ka hyrë si zëvendësues. Ai ka zhvilluar gjithsej 448 minuta lojë kohë të rregullt, pa i përfshirë minutat shtesë, dhe ende nuk e ka pasur rastin ta mbyllë një ndeshje të plotë. Më së shumti në një ndeshje të edicionit aktual ai ka luajtur 67 minuta në humbjen 0-2 përballë Evertonit muajin e kaluar.
Në muajin tetor luajti dy ndeshje radhazi si titullar, kundër Fulhemit dhe Bërnlit. Por Poçetino ka patur vazhdimisht fjalë të mira për shqiptarin, duke theksuar se e shikon të rëndësishëm përtej hipotezave se shtatlarti mund të largohej në merkaton e janarit. 22-vjeçari ka gjithashtu motivimin për të qenë me Kombëtaren kuqezi në Kampionatin Evropian këtë verë. Trajneri i Shqipërisë, Silvinjo, ka qenë në kontakt me të duke i ofruar përkrahje. Megjithatë, Çelsi është hëpërhë fokusi i tij kryesor dhe Armando Broja do ta mësojë në javët e ardhshme se sa besim ka pasur me të vërtetë në të trajneri Poçetino.