Buffon hap debat në futboll: Portat janë të vogla

Ish-portieri legjendar i Juventusit dhe Italisë, Gianluigi Buffon ka hapur një debat të ri në futboll, atë në lidhje me përmasat e portës. Sipas tij, ka ardhur momenti që të vlerësohen përmasat e katërkëndëshit, duke qenë se tashmë portierët janë shumë të gjatë. “Përmasat e portës janë caktuar që në 1875-ën, duke marrë parasysh gjatësinë mesatare atëherë dhe nuk kanë ndryshuar më. Mendoj që ka ardhur momenti të ndryshojnë, pasi është rritur shtatlartësia. Edhe në volejboll po diskutohet që rrjeta të ngrihet më lart”, u shpreh Buffon. Legjenda italiane solli në vëmendje edhe disa statistika në lidhje me golat e shënuar nga distanca, për të justifikuar idenë e tij. “Sipas shifrave, dikur shënohej një gol në çdo pesë goditje nga distanca, ndërsa sot shënohen tre gola në çdo 50 goditje. Mendoj se edhe ky është një argument, ndaj komisionet përkatëse duhet ta analizojnë”, theksoi italiani.

sfidanti.al