Superkupa e Italisë në futboll po shkakton një kaos të pazakontë në këtë edicion, Liga e Futbollit ia shiti të drejtën e aktivitetit Arabisë Saudite, në këmbim sigurisht të disa miliona eurove dhe katër nga gjashtë edicionet e radhës do të zhvillohen atje. Por duket se sheikët janë të pakënaqur. Formati është ai i përdorur nga klubet spanjolle, me katër skuadra që luajnë në dy gjysmëfinale dhe më pas me finalen e madhe. Në këtë edicion të pranishëm janë Napoli, Interi, Lacio dhe Fiorentina, emra të cilët me sa duket nuk tërheqin shumë sheikët dhe publikun vendas. Ndaj fillimisht u zhvendos finalja e turneut nga Xhedah në Riad, e tani kërkohet që të shtyhet gara e planifikuar nga data 21 janar, deri më datë 25 janar. “Corriere dello Sport”’ bën të ditur se interesi për të është zbehur pikërisht nga prania e Fiorentinës me Lacion, aq sa i është kërkuar italianëve që të shtyhet miniturneu për në shkurt. Një situatë e pazakontë që ka detyruar drejtuesit e Ligës të udhëtojnë drejt Arabisë për të gjetur apo rishikuar akordin mes palëve.
sfidanti.al