Kohë të bukur gjete për “dasmë”…o  presidenti Duka !

Kush thotë se presidenti Duka  ka vetëm një ekip….Kombëtaren, ndërsa kur vjen puna tek futbolli i vendit, tek ajo që i kemi vënë emrin Superligë, ai nuk tollovitet  me “gjëra të vogla”. Dhe këto ditë, tamam kur futbolli i kampionatit po pret oksigjenin  dhe kërkon të lërë amanetet , “zoti” paska zbritur në tokë…

Këmba e tij  ka prekur  tamam në qytetin ku lindi dhe lulëzoi loja  me top, të cilën ai me mish e me shpirt po mundohet ta mbajë gjysmë gjallë e gjysmë të vdekur. Që të besohet më shumë kur thotë : “ Gjëja më serioze që kemi ne në Shqipëri është Kombëtarja”

Po ç‘ka dashur presidenti Duka në Shkodër? Edhe pse fjalët e tij, si gjithmonë janë të “shenjta”, mbani shënimet e radhës: “ Me Presidentin e Vllaznisë, Alaban Xhaferri diskutuam për shumë çështje lidhur me zhvillimin e futbollit shkodran. E falenderova për kontributin e tij të vazhdueshëm…”

Bravo president, ke gjetur tamam kohën e duhur për …dasmë o Safa Ymeri!  Paska qënë e bekuar kjo fitorja e fundit e Vllaznisë,  i hapi rrugë vizitës së “gjeneralit” të ushtrisë së vdekur!    Gjynah që nuk e falenderove zotin Xhaferri edhe për ndeshjen e fundit me Dinamon, ku kishte aq pak tifozë në stadium, sa na u kujtua ajo batuta shkodrane për Dinamon  e vertetë , (jo këtë kushërirën e Mançester Sitit),  se  ka aq tifozë, sa shkodranët çojnë krushq nëpër dasma…

Sfidanti.al