Newcastle po vuan në Premier League, ndikuar edhe nga mungesat e shumta. “Qymyrxhinjtë” kanë pësuar 7 gola në dy humbjet e fundit përballë Evertonit dhe Tottenhamit. Skuadra angleze kërkon kthesën në Champions League, teksa të mërkurën pret Milanin në “St. James Park”. Në një përballje mes dy skuadrave që janë goditur nga dëmtimet e shumta. “Nuk ishim mirë fizikisht, dallohej qartë një gjë e tillë. Djemtë dhanë gjithçka, por ndihej lodhja. Të dalim nga ky moment duke luftuar në takimin e ardhshëm”, u shpreh trajneri Eddie Howe pas humbjes 4-1 me Spurs.
“Milani me mungesa? Ne jemi edhe më keq se ata… Ka pak dritë në fund të tunelit për Wilson dhe Longstaff. Lojtarë shumë të rëndësishëm për ne, të cilët kanë bërë mirë”, theksoi tekniku i ekipit anglez. Newcastle dhe Milan kanë nga 5 pikë në grupin F, aty ku kryeson Borussia Dortmund (e kualifikuar) me 10 pikë. Ndërkohë që francezët e PSG-së, të cilët vizitojnë verdhezinjtë në “Signal Iduna Park” në takimin e fundit të grupit, renditen të dytët me 7 pikë.
sfidanti.al