Mjadfton një barazim me Ishujt Faroe për ta mbyllur në vendin e parë të grupit E fazën eleminatore por shija që le kjo ndeshje është e hidhur dhe mund të qëndrojë gjatë në shqisat e kuqezinjve. Asnjë gol në 90 minuta me modestet e Ishujve Faroe që në fund rrezikuan të na zgjonin edhe nga ëndrra e vendit të parë. Kombëtarja Shqiptare stonoi në 90 minutat e fundit të kësaj faze eleminatore që i mbyll me 15 pikë, po aq sa Republika Çeke por me avantazhin e ndeshjeve direkte dhe tashmë kuqezinjtë mund të shijojnë pushimet e merituara deri në 14 qershor kur do të startojë edhe Euro 2024.
Përpara, gjatë dhe pas ndeshjes festa e organizuar nga FSHF nuk e ndezi asnjëherë atmosferën, ndërsa një incident që “plisat” e zbuluan vetëm pak minuta përpara sfidës, nuk u prit mirë nga tifozët e ardhur nga Kosova. Nëpërmjet një vendimi të pakuptimtë, FSHF kishte venndosur të mos shpërndante bileta për tifogrupin nga Prishtina edhe pse ata janë një nga tifogrupet që i kanë qëndruar më afër Kombëtares në vite e fundit.
Në shortin e 2 dhjetorit, Shqipëria do të vendoset në vazon e dytë, çka do të thotë se mund të evitojë kundërshtarë të fortë por nëse skuadra tregon atë që ka reflektuar në fushë për dy ndeshjet e fundit me Moldavinë dhe Ishujt Faroe, atëherë rruga mund të jetë “qorre” për Shqipërinë në europianin e dytë të historisë.
sfidanti.al