Klubit të Premier League i hiqen 10 pikë

10 pikë më pak. Everton pikiatë në klasifikim pasi është dënuar për parregullsi financiare që thyejnë rregullat në fuqi të Premier League dhe tani e gjen veten me vetëm 4 pikë në klasifikim nga 14 që kishte, po aq sa dhe Burnley me të cilin ndan vendin e fundit të renditjes, pas dënimit që është kontestuar nga klubi.

VENDIMI

“Një komision i pavarur vendosi dënimin me 10 pikë, për t’u aplikuar menjëherë duke qenë se është siguruar se Everton ka shkelur rregullat”, – lexohet në komunikatën e Premier League që zbardh vendimin e marrë nga një komision i pavarur që ka ndjekur çështjen. Shkeljet kanë të bëjnë me mbylljen e periudhës së bilanceve 2021-2022.

Everton kishte pranuar se kishte kaluar kufirin e humbjeve të lejuara, por jo se sa e kishte kaluar. “Pas një auditimi pesë ditor muajin e kaluar, komisioni zbuloi se humbjet në këtë periudhë shkonin në shumën e 142.4 milionë eurove, shifër që kalon kufirin e lejuar prej 120.1 milionësh. Për këtë arsye komisioni vendosi ta ndëshkojë me zbritjen e 10 pikëve”.

REAGIMI

Everton reagoi menjëherë me një komunikatë të shpërndarë në faqen e tij zyrtare. “Klubi gjykon se komisioni ka marë një dënim shproporcional dhe të padrejtë dhe për këtë arsye do të apelojë. Everton këmbëngul se ka qenë gjithmonë i hapur dhe transparent në informacionet ekonomike që i ka dhënë Premier League dhe gjithmonë ka respektuar integritetin e procesit.

Për këtë arsye i hedhim poshtë akuzat se kemi vepruar në keqbesim. Këmbëngulim se si ashpërsia ashtu dhe pesha e dënimit nuk janë as të drejta dhe as të arsyeshme duke marë në konsideratë provat e dhëna”, – lexohet në komunikatën e klubit.

 

sfidanti.al