Zyrtare, Osmani merr drejtimin e Vllaznisë

Qatip Osmani është zyrtarisht trajneri i ri i Vllaznisë. Shqiptari nga Maqedonia e Veriut është bashkuar me “kuqeblutë”, me klubin shkodran që konfirmoi këtë të hënë lajmin.

“Klubi i Futbollit Vllaznia dëshiron të informojë opinionin publik se trajneri i ri i ekipit të parë të Vllaznisë do të jetë z. Qatip Osmani. Ai vjen te skuadra jonë pas një karriere të suksesshme tek Shkëndija e Tetovës me të cilën ka fituar 5 trofe. Bashkë me të, në stafin e Vllaznisê do të jetë edhe z. Bashkim Ljivoreka që do të ketë detyrën e zëvendëstrajnerit. Mirë se erdhët në familjen kuqeblu profesor Qatipi dhe Bashkimi!”, shkruan Vllaznia.

Osmani merr vendin e Migen Memellit, i cili nuk përmbushi pritshmëritë e drejtuesve, pasi grumbulloi vetëm 12 pikë në 10 javë. Tekniku Osmani ka një eksperiencë të konsiderueshme në Maqedoninë e Veriut, ku ka drejtuar Shkëndijën e Tetovës në disa periudha të ndryshme, Shkupin e Renovën. Pikërisht te kuqezinjtë nga Tetova ka arritur rezultatet më të mira, duke fituar edhe titullin kampion, teksa u largua nga aty vetëm në fund të sezonit të kaluar. Kjo do të jetë eksperienca e parë në Shqipëri për Qatip Osmanin, që do të provojë të bëjë mirë në një klub me emër e histori si Vllaznia.

sfidanti.al