Taulant Seferi e cilëson si një nga sfidat më të rëndësishme të karrierës atë të 12 tetorit kundër Republikës Çeke, ndërsa në rrëfimin për “Zona 30” në RTSH 1, sulmuesi i Kombëtares shqiptare komenton dhe rikthimin e sulmuesit Armando Broja.
“Padyshim që është një ndeshje shumë e rëndësishme, është një finale për të gjithë ne dhe mendoj se me besim dhe punë të fortë, me mbështetjen e tifozëve tanë, do ia dalim kësaj radhe. Ti gëzojmë, ti lumturojmë të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Personalisht ndihem mirë, jam gati. Ndihem mirë fizikisht dhe kjo ka shumë rëndësi. Për Brojën, sigurisht që jam i lumtur për të sepse ka kaluar një fazë të vështirë pas atij dëmtimi. Tani është rikthyer dhe e pamë në ndeshjen e fundit që luajti nga fillimi dhe shënoi gol. Shpresoj që të rikthehet në 100% e tij dhe i uroj të gjitha të mirat në jetë dhe karrierë”.
Stemën kuqezi e ka të qëndisur në zemër, sepse para se të jetë lojtar, ai është një tifoz numër 1 i Kombëtares.
“Sigurisht që ëndërroj kualifikimin për në Gjermani 2024, por ne kemi përpara dhe tri finale dhe duhet të japim maksimumin tonë dhe shpresoj që në fund t’ia dalim. Padyshim që është një ëndërr e madhe. Kur Kombëtarja është kualifikuar në 2016 kam qenë tifozi më i flaktë i saj dhe falenderoj Zotin se ma mundësoi si futbollist që të kem mundësinë e artë dhe padyshim që duhet të japim shpirtin në fushë. Ëndrrën duhet ta bëjmë realitet, të gjithë si Kombëtare, si komb shqiptar, me tifozë, me të gjithë… me të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen”.
Seferi është një nga pesë sulmuesit e thirrur nga trajneri Silvinjo për dy sfidat e radhës, atë me Çekinë më 12 tetor dhe pesë ditë më vonë, miqësoren me Bullgarinë.