Ngrirja jo shumë e papritur e Orges Shehit nuk ishte një rrufe në qiell të hapur për tifozët e Tiranës. Prej ditësh kafenetë e kryeqytetit po zienin nga thashethemet rreth rezultateve anormale të bardhebluve që prekën fundin pasi u shpërfytyruan edhe nga Laçi 3-0 e skenari ishte parashikuar. Drejtuesit do ta shkarkonin trajnerin që fitoi një titull zyrtar, një virtual dhe sot me një ndeshje më pak është në vendin e dytë të klasifikimit. Kush të shkarkon pas dy humbjeve? Këtë mund ta bëjnë vetëm njerëzit që futbollin ose e kanë angari ose mjet përfitimi por që në fund të ditës, pasi e kanë shtrydhur klubin, nuk arrijnë të dalin nga rrethi vicioz i borxheve ndaj tifozëve, lojtarëve dhe trajnerëve apo njerëzve që punojnë përditë me këro ngjyra.
Ky është rasti i Tiranës dhe më konkretisht i Orges Shehit i cili refuzoi madje edhe një ofertë në verë për të mos tradhëtuar bardheblutë por sot janë ata që e akuzojnë se është futur në shtratin e komshiut. Më shumë se tre vite punë dhe madje shumë të suksesshme nuk mjaftojnë e për këtë diçka na thotë edhe rasti “Egbo”, i cili mblodhi hirin dhe ndërtoi një skuadër kampione por në fund të sezonit kjo nuk mjaftoi as për nigerianin e mirë.
sfidanti.al