Tifozët e Kombëtares ngatërrohen edhe me biletat e Partizanit

“Të shitura të gjitha”! Biletat për ndeshjen Shqipëri-Çeki në program në mbrëmjen e 12 tetorit kanë avulluar brenda pak orësh. “Air Albania” do të jetë i tejmbushur për një nga ndeshjet më të rëndësishme të Kombëtares në këto dekadat e fundit, me misionin për të siguruar një biletë që për shumëkënd ka qenë i pamundur. 200 mijë kerkesa për 22 mijë vende në stadium, që në fillim dihej se do të ishte e vështirë, por në këtë rast, si asnjë herë më parë të gjithë ata që kanë dashur të sigurojnë një biletë janë përballur me një situatë të pazakontë.

Fluksi i madh i kërkesave e bëri jashtëzakonisht të vështirë aksesin në linkun përkatës, ku kushdo që kërkonte të hynte përballej me një radhë prej 6 mijë apo 4 mijë kërkesash që ishin më para dhe i duhej të priste në radhë, që për të thënë të vërtetën për vetë numrin e jashtëzakonshëm të përdoruesve bëhej thuajse e pamundur për t’u respektuar.

Gjithsesi rezultati është se biletat janë shitur brenda pak orësh me stadiumin që ishte shitur me gjithë kapacitetin e tij që në orët e para të mëngjesit, e madje për ironi të fatit, kërkesat e jashtëzakonshme dhe nxitimi për të blerë një biletë ka bërë që të shiten edhe gjithë biletat për sfidën Partizani – Egnatia, të Kategorisë Superiore ku natyrisht është e lehtë të kuptohet se në këtë rast në nxitim për të siguruar një biletë shumëkush sapo ka pasur mundësinë të akesojë në link ka bërë blerjen pa u kujdesur të shikonte se bëhej fjalë për takimin e Kategorisë Superiore dhe jo për atë të kombëtares.

sfidanti.al