Dramë në Bukuresht por “vëllai i vogël” Kosova nuk ia del në “betejën” e Rumanisë

Në Rumani ndodhi pothuajse gjithçka, duke nisur që nga thirrjet raciste, ndërprerja e ndeshjes për më shumë se 50 minuta, kartoni i kuq për Muriqin në minutën 47 dhe penallti e pritur nga Arijanet Muric por në fund Kosova nuk arriti të fitonte. Rumania triumfoi 2-0 por vendasit për të disatën herë u mbështetën nga ultrasit ekstremistë me thirrjet e vazhdueshme kundër Kosovës duke krijuar një atmosferë “ferri” që shumë mirë mund të ishte mbyllur në minutën e 17 kur lojtarët iu drejtuan dhomave të zhveshjes dhe më pas u rikthyen të detyruar për të vazhduar ndeshjen.

Asnjë minutë pushim në “Nacional Arena” ku në pjesën e parë Rashica rrezikoi vendasit e madje në të dytën ishte Muriqi që para se të ndëshkohej me të verdhin e dytë, shpërdoroi një rast të pastër. Në minutën e 62, Stanciu në krahun tjetër u ndal nga portieri i dardanëve që gjithsesi nuk arriti të bënte asgjë në minutën e 83 kur i njëjti autor e ndali topin në rrjetë ndërsa një gol tjetër Rumania e shënoi në shtesë. Kosova mbetet në vendin e 5 me 4 pikë dhe 8 më pak nga zona Euro 2024 pasi Rumania ngjitet në vendin e dytë me 12 pikë.

sfidanti.al