Rritet ndjeshëm numri i futbollistëve shqiptarë që do të luajnë në elitën e futbollit turk. Arbër Zeneli do të jetë i radhës që do të firmosë në Turqi. Nga raportimet e fundit bëhet me dije se sulmuesi anësor i Kosovës, ka arritur akordin me Adana Demirspor dhe pritet të zyrtarizohet ditën e nesërme.
Ai do t’i bashkohet Adana Demirsporit nga francezët e Reimsit dhe me ekipin turk do të firmosë kontratë trevjeçare me opsionin e rinovimit edhe për vitin e katërt. Zeneli ka prishur kontratë me Reimsin, e cila e mbante deri në vitin 2025. Më herët shqiptari i Kosovës, ka luajtur edhe për Elfsborgun dhe Herenvenin, teksa tashmë do të nisë një aventurë të re.
sfidanti.al