Për dy ditë me radhë është mbajtur “Kupa e Shqipërisë Korçë 2023”, event i organizuar nga Federata Shqiptare e Çiklizmit, i cili dje uli siparin me etapën finale. Një aktivitet që pa të pedalonin çiklistë nga klube të ndryshme të Shqipërisë, të cilët konkurruan në tri kategori, për Kadetë, Juniorë dhe Elitë U-23.
Etapa e dytë e turit çiklistik për Kadetë ishte e gjatë 63 km, ndërsa për kategorinë Elite U23 dhe Junior ishte 94 km. Kjo etapë startoi nga Korça dhe për të vijuar në Bilisht dhe më pas me finishin në Malin e Thatë. Një garë që dhuroi rivalitet të fortë mes sportistëve. Për kategorinë Kadetë, i pari që e ka prekur finishin ishte çiklisti i Skënderbeut, Markelian Bedulla, i cili mposhti në sprintin final Jonid Gjokën e Partizanit, ndërsa pas tyre u klasifikua Habib Llana i Besës.
Në kategorinë Junior, etapa e dytë u fitua nga Ankel Limaja i Studentit. Ndërkohë, për Elitë U-23 më i shpejti ishte danezi Bjarke Vodder Nilsen, i cili garon për ngjyrat e Tiranës. Për sa i përket klasifikimit të përgjithshëm, fitues i aktivitetit për Kadetë u shpall Jonid Gjoka i Partizanit, me podiumin që u plotësua më pas nga Markelian Bedulla (Skënderbeu) dhe Mikail Pali (Studenti). Për Juniorë suksesi shkoi për Ankel Limajën e Studentit, ndërsa pas tij një vend në podium zunë edhe Flavio Venomi i Vllaznisë, si dhe Henri Hysa i Teutës.
Duke kaluar te të rriturit, për Elitë U-23 fitues i Kupës së Shqipërisë 2023 u shpall Tefik Salahi i Tiranës, ndërsa i gjithë podiumi ishte bardheblu, me Olsian Veliajn në vend të dytë dhe Bjarke Vodder Nilsen në vend të tretë. Kështu FSHÇ mbyll me sukses një tjetër aktivitet, ku si gjithnjë një rol të rëndësishëm pati edhe policia në mbarëvajtjen e kësaj gare, që përveç sportit promovon edhe vlerat turistike të vendit.
sfidanti.al