Saka spektakolar, Arsenal triumfon të parën në Premier Ligë

Ashtu siç pritej, “topçinjtë” e Arsenal nuk kanë zhgënjyer në përballjen e parë të këtij sezoni të Premier Ligës, teksa në “Emirates Stadium” kanë mundur skuadrën e Notingem Forest, me rezultatin e ngushtë 2 me 1.

Sipari i golave u çel në pjesën e parë, ku fillimisht protagonist u bë “bomberi” anglez, Edi Nketia, i cili pasi merr një asist të mrekullueshëm nga Gabriel Martineli, “zhyt” topin në rrjetën e portierit Turner, duke e çuar rezultatin në 1 me 0, në minutën e 26’-të të lojës. Vetëm 6 minuta më vonë do të vinte dhe goli i dytë, teksa kësaj here protagonist ishte anësori, Bukajo Saka, i cili me gjuajtje “alla Roben” çon topin në rrjetën kundërshtare, duke e mbyllur pjesën e parë me epërsinë e 2 golave. Me fillimin e pjesës së dytë, skuadra e Notingem filloi të sulmonte portën kundërshtare dhe vetëm në minutën e 82’-të të lojës do të gjente golin e “nderit”, pas një kombinimi fantastik mes Antoni Elanga e Tajo Ajoniji, duke “vulosur” kështu rezultatin 2 me 1.

Tashmë, në javën e dytë të Premier Ligës, “topçinjtë” e Arsenal do të udhëtojnë drejt transfertës së vështirë të Kristal Palas, ndërsa skuadra e Notingem Forest do të presë në shtëpi të sapongjiturit në elitë, Shefilld Junajtid.

 

sfidanti.al