Qënka shtyrë Superliga ! O zot kush duron 7 ditë…

Futbolli jonë nuk ka datë, nuk ka kohë,  nuk është si loja që programohet me kalendar si  kudo në botë. Ndaj edhe ndodh që me lehtësinë më të madhe, pa patur bujë fare,  kampionati  është shtyrë për një javë. Do të fillonte më 19 gusht,  por ç‘kuptim do të kishte të quhej Superligë nëse do ta kishim respektuar datën e fiksuar. Ishalla fillon edhe më 26 gusht, siç thotë sektori i garave,  sepse nuk do të bëhet qameti sikur të nisë  bashkë me shkollat..në shtator. Me këtë skemën e re “Final 4”, me zakonin e vjetër që titulli prenotohet qysh në fillim,  edhe tetori nuk do të ishte gazi i botës…

Sikur të thonin vetëm kaq ..se “do të shtyhet për 7 ditë” kampionati , do të tingëllonte më mirë se sa kur nisin e tregojnë anketodën  se ishte dëshira e disa klubeve për ta shtyrë kampionatin. Dhe Partia e futbollit bën ç‘dëshiron populli, kur është puna për të trukuar kohën! Sekush ishin këto klube, nuk e thotë sektori i garave, s’e thonë as që kanë edhe një hall përmbi halle..nuk kanë shitur akoma të drejtën televizive! Ne e quajmë shitje , por nga shuma që afrohet ..kupton edhe çmimin që ka futbolli ynë…

Sfidanti.al