“Demat” 90 minuta larg kualifikimit, Partizani pret në “Air Albania” Atletik Eskaldes

Vetëm një javë pas triumfit minimal, 0 me 1, në tokën andorrase, “demat e kuq” të Partizanit do të presin mbrëmjen e kësaj të marte, në mitikun e Tiranës, “Air Albania”, skuadrën e Atletik Eskaldes, në ndeshjen e kthimit të vlefshme për fazën e dytë kualifikuese të Ligës së Konferencave. Ashtu, si në përballjen e parë, tekniku Zoran Zekiç pritet të ketë të gjithë grupin nën shërbimin e tij, për këtë sfidës, ku ashtu si në të parën, nuk pritet asgjë tjetër veç fitores së “të kuqve” të kryeqytetit.

Përsa i përket formacionit të “demave”, i vetmi ndryshim i pritshëm i teknikut kroat është zëvendësimi në krahun e djathtë të sulmit të Eros Grezdës, me “fantazistin” brazilian, Viktor da Silva, ndërsa pjesa tjetër mbetet e pandryshuar, me Qirkon në portë, Atanaskoski e Hadroj në krahët e mbrojtjes, si dhe Kocijan e Sota të pozicionuar në qendër. Në mesfushë ashtu si në përballjet ndaj andorrasve, por dhe BATE Borisov në kualifikueset e Çampions Ligës pritet të rreshtohet treshja Rrapaj-Mehmeti-Murataj, ndërsa në sulm braziliani Da Silva do të ketë mbështetjen e Tedi Carës dhe “bomberit” nigerian, Kristjan Mba.

 

sfidanti.al