Mbrëmjen e 25 korrikut, “dardanët” e Ballkanit do të presë në mitikun e Prishtinës, “Fadil Vokrri”, skuadrën nga Irlanda e Veriut, Larne në përballjen e parë të fazës së dytë kualifikuese të Conference League.
Në konferencën për shtyp të zhvilluar një ditë para përballjes, trajneri i kampionëve në fuqi të Kosovës, Ilir Daja, foli për çdo gjë, duke filluar që nga informacionet e mbledhura për skuadrën e Larne, e deri te shorti në raundin e tretë, si dhe gjendjen e futbollistëve.
“Luajmë ndaj një ekipi të cilin nuk e njohim shumë mirë. Jemi munduar këto tri–katër ditë që të marrim informacione. Në ndeshjet europiane nuk ka takime të lehta apo të vështira, duhet të jesh në formën më të mirë, duke përfshirë shumë komponentë, teknikë apo taktikë, por duhet të jesh “ok” edhe sa i përket gjendjes shëndetësore.
Kundërshtari i radhës është i vështirë, ka mënyrën e vet të lojës, por ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën tonë, duke e ditur që do të kemi edhe mbështetjen e publikut.
Jemi eliminuar në raundin e parë të Championsit me golaverazh nga Ludogoretsi dhe nuk besoj se do të ketë ndonjë ndikim psikologjik të madh, pasi dihen diferencat që kemi me këtë skuadër në cilësi.
Nuk duhet ta çojmë mendjen fare të kundërshtari që na pret në raundin e tretë, ia kam thënë edhe klubit, duhet të jemi të përqendruar totalisht te kundërshtari i radhës. Të gjitha energjitë psiko-fizike duhet t’i fokusojnë te ndeshja e nesërme dhe ajo e kthimit në Irlandën e Veriut.
Larne është skuadër fizike dhe ky është konstatim i saktë. Por kur thashë që e njohim pak kundërshtarin, nuk e kisha për stafin teknik apo drejtuesit. Ata kanë stilin e tyre të lojës, jo si Premier League e sotme, por si ajo e dikurshme, dhe ne do t’i kundërpërgjigjemi armës së tyre më të fortë me cilësitë tona.
Përsa i përket, gjëndjes së lojtarëve, Armend Thaqi ditën e parë ka bërë stërvitje të diferencuar dhe gradualisht e ka marrë veten. Gripshi nuk ka pasur probleme, ndërsa Zyba ka nisur të rikuperohet. Sigurisht që nuk do t’i kemi në 100% të formës, sidomos Armendin, që ka kaluar një gjendje më të rëndë nga të tre. Trashi ka pasur një problem familjar, ka shkuar t’i qëndrojë pranë bashkëshortes (ka humbur prindin), por do të kthehet. Të shohim se në çfarë gjendjeje do të jetë”,- është shprehur tekniku Daja.
sfidanti.al