Vendimi i teknikut të “djajve” të Mançester Junajted, Erik ten Hag, për t’i hequr shiritin e kapitenit, qendëmbrojtësit, Herri Meguajër ka trishtuar jo pak këtë të fundit, i cili është i hapur për një largim nga “Olld Traford’. Mirëpo, tekniku hollandez ka ulur tensionet brenda klubet, teksa e konsideron 30-vjeçar, si një faktor të rëndësishëm në prapavijën, si dhe shtoi se Meguajër do të luftojë për vendin e tij në formacionin titullar, ashtu siç bëri dhe sezonin e kaluar.
“Ne e respektojmë Meguajërin. Ai është shumë i rëndësishëm për përbërjen, për ekipin në tërësi. Ne tashmë kemi katër qendërmbrojtës për pozicionin e tij, dhe ai është njëri prej tyre. Unë kam folur tashmë për stabilitetin e skuadrës dhe e kuptojmë që nuk mund të shkojmë të gjithë sezonin me të njëjtët 11 lojtarë, ndaj jam shumë i lumtur që kemi katër qendërmbrojtës shumë të mirë. Ne kemi nevojë për të. Ai do të luftojë për vendin e tij, siç bëri sezonin e kaluar. Ai ka potencial të madh, ndaj jam i sigurt se do të garojë për një vend në skuadër. Gjithçka varet nga ai”,- është shprehur tekniku holandez.
sfidanti.al