Gjithmonë ka një herë të parë. Kështu ndodhi për skuadrën e kaltër të fqinjëve tanë perëndimorë, që triumfuan në Kampionatin Ekipor të Atletikës që u mbajt në Silezi të Polonisë. Italia e përfundoi turneun në vendin e parë me 426.5 pikë, duke lënë prapa Poloninë vendase e Gjermaninë, ndërsa fuqi tradicionale të atletikës si Britania e Madhe apo Franca u lanë shumë më prapa. Skuadra nga Apeninet mori 6 medalje të arta, 5 të argjendta dhe 3 medalje bronzi, në total 14. Kjo edhe pse ylli më i madh i ekipit, kampioni olimpik në 100 metra, Marsel Xhejkobs, nuk mori pjesë për shkak dëmtimi.
Të Kaltrit patën disa fitore të shkëlqyera, ku spikat ajo e Samuele Çekarelit në 100 metra për djem, e Sara Fantinit në hedhje çekiçi për femra, Tobia Boki në kërcimin trehapësh për meshkuj, Alesandro Sibilio në 400 metra me pengesa për meshkuj, Xhamarko Tamberi në kërcim së larti për meshkuj dhe Zejn Ueir në hedhje gjyleje po për djem. Kapiteni Tamberi dha shembullin duke përsëritur suksesin në Lojrat Olimpike në Tokio, ndërsa Çekareli u konfirmua në 100 metrat për djem.
Në Kampionatin Europian Ekipor të Atletikës konkurroi edhe kombëtarja shqiptare e cila ishte në Ligën e Tretë, duke arritur rezultatin më të mirë në histori, e duke zënë vendin e 9-të, falë paraqitjes së të gjithë sportistëve, por veçanërisht të Luiza Gegës dhe Franko Burrajt.
Sfidanti.al