Goditja “kampione”, Partizani merr Eros Grezdën

Nuk ka më dyshime. Partizani prezanton zyrtarisht goditjen e madhe të merkatos së verës dhe që mban emrin e Eros Grezdës. Ish-futbollisti i kombëtares ishte bashkuar prej ditësh në fazën përgatitore të kampionëve të Superligës, ndësa tani mund të quhet zyrtarisht pjesë e tyre. Sulmuesi 28-vjeçar u prezantua nga drejtori sportiv Arbër Abilaliaj, pasi firmosi një kontratë 1-vjeçare. Grezda mbylli sezonin e fundit me hungarezët e Zalaegerseg, ndërsa është një njohje e vjetër e trajnerit Zoran Zekiç.

Tekniku kroat, i cili e ka stërvitur Grezdën në kohën kur drejtonte Osijek luajti një rol të rëndësishëm në tratativat për të bindur sulmuesin që të veshë fanelën e Partizanit. Futbollisti shihet si një përforcim i rëndësishëm për kampionët e Shqipërisë që do të luajnë në turin e parë eliminator të Champions Ligës kundër Bate Borisov. Po ashtu, objektiv tjetër madhor i “Të Kuqve” është edhe mbrojtja e titullit kampiuon në Superligë. Ndërkohë, Partizani vazhdon fazën përgatitore në Pogradec, ku skuadra do të marrë ngarkesën e nevojshme në prag të impenjimeve të korrikut.

Sfidanti.al