Nuk mund të thuhet se është pa përvojë. Përkundrazi, kur flasim për një arbitër futbolli si Shimon Marciniak, kujtojmë se ai drejtoi finalen e Kupës së Botës në Katar, mes Argjentinës e Francës. Pasi FIFA e vlerësoi kaq lart, erdhi radha e UEFA-s për t’i besuar një tjetër finale, atë të Championsit mes Mançester Sitit dhe Interit. Gjithsesi, gjyqtari nga Polonia duket se pati emocione të forta, dhe përpara ndeshjes bëri një veprim në dukje të pazakonshëm. Në rrjetet sociale dhe në media kanë dalë pamjet filmike nga dhoma e zhveshjes se arbitrave në stadiumin e Stambollit, ku Marciniak bënte prova sesi do të nxirrte nga xhepi kartonin e verdhë.
Duket se polaku e ndjente presionin përpara sfidës që do ta ndiqnin rreth 450 milionë njerëz në të gjithë rruzullin, ndërsa u tha ndihmësve të tij nëse ishin gati, dhe se një vendim për karton të verdhë do të kushtonte vetëm 5 sekonda. Marciniak drejtoi në mënyrë të drejtë finalen që Mançester Siti e fitoi me rezultatin 1-0 ndaj Interit në stadiumin “Ataturk”, falë golit të shënuar nga Rodri. Ai mori vlerësime pozitive në një sfidë të fortë dhe të ashpër, ku zikaltërit luftuan fort në minutat e fundit për të barazuar rezultatin, duke mos ia arritur qëllimit edhe pse rastet i patën.
Sfidanti.al