Shqipëria fiton në Ishujt Faroe dhe “gdhihet” e dyta në grup!

Le të mos e themi me zë të lartë, por duket momenti ynë. Kombëtarja shqiptare me një fitore arriti sukses të dyfishtë, i tillë ishte suksesi në fushën e Ishujve Faroe. Populli thotë “me një gur, vriten dy zogj”, dhe kuqezinjtë jo vetëm që përfituan nga triumfi 3-1 në stadiumin kryesor të Torshavnit, por edhe nga disfata e papritur e Polonisë në Moldavi. Levandovski me shokë u mposhtën 2-3, dhe zbritën në vend të katërt në grupin tonë eliminator të Europianit, duke qenë ne të dytët. Sipër kemi vetëm Çekinë, ndonëse në sfidën direkte në Prag të fillim të shtatorit shkojmë me vetëm një pikë diferencë dhe me besim të madh në vetvete.

Mund të thuhet pa e tepruar se ishte një recital i vërtetë shqiptar në Ishujt Faroe, edhe pse pjesën e parë nuk e fituam dot. Goli i Nedim Bajramit nuk pati vazhdimësi, edhe sepse Cikalleshi humbi penalltinë, ndërsa pikërisht në fund u zumë në befasi siç na ndodh shpesh. Vendasit shfrytëzuan pikën e vetme më të fortë se ne, lojën në ajër dhe forcën fizike. Gjithsesi, pas pushimit gjithçka ndryshoi edhe pse rastet e humbura krijuan ankth.

Kristjan Asllani tregoi më në fund se përse Interi investoi tek ai, duke rikthyer avantazhin, ndërsa pas shumë rastesh të humbura, e mbyllëm ndeshjen fare në limit. Ernest Muçi, i hedhur më në fund në fushë nga Silvinjo, përfundoi aksionin dhe realizoi golin e parë personal në kombëtare. Pas tri ndeshjeve të luajtura, Çekia kryeson me 7 pikë ndaj 6 të Shqipërisë që ka golaverazhin 5 të shënuar e 2 të pësuar. Polonia mbeti edhe prapa Moldavisë, ndërsa ndeshjen e radhës e kemi në 7 shtator në Pragë.

Sfidanti.al