Tirana kthehet në stërvitje, blerja kryesore është … Shehi!

Pushimi nuk ishte i gjatë dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Futbolli profesionist të jep fitime, por edhe të rraskapit dhe ja nënkampionët e Shqipërisë zbritën në fushë për të filluar përgatitjet për sezonin e ri. Skuadra bardheblu, që ishte gjithashtu finaliste e humbur në Kupën e Shqipërisë, doli në terrenin stërvitor në kompleksin “Skënder Halili”, ndonëse që në nisje ka probleme. Siç e tregon edhe trajneri Orges Shehi, ka lojtarë me shqetësime fizike, siç janë Kristal Abazaj dhe Regi Lushkja, të cilët punojnë në mënyrë të diferencuar , dhe jo me grupin. Gjithsesi, lajme të mira janë që futbollistët e afruar së fundmi, janë pjesë e skuadrës. Këta janë portieri Selmani dhe futbollisti tjetër Kaina.

Selmani ka luajtur më parë me Laçin dhe në Turqi, ndërsa ka qenë vazhdimisht pjesë e kombëtares. Nga ana tjetër, trajneri Shehi ka hedhur poshtë të gjitha ofertat nga jashtë dhe nga brenda Shqipërisë për të vazhduar në stolin bardheblu. Ai u kërkua nga Shkëndija e Tetovës, nga Vllaznia si dhe pati ofertë nga Azerbajxhani. Tirana përgatitet për sfidat e turit të parë të Ligës së Konferencës, me shortin që hidhet në 20 qershor dhe me ndeshjet që luhen në 13 e 20 korrik.

Sfidanti.al