Uest Hemi kërkon sërish Brojën, e do me vete në Europë!

Firma që hodhi në kontratë ishte afatgjatë. Armando Broja ka akord me Çelsin deri në 2028, dhe vlerësohet lart nga pronari i klubit, Tod Boehli, pasi është prodhim i Akademisë, por gjithsesi në futboll nuk ka gjëra të pandryshueshme. Lajmet nga Anglia janë që sulmuesin e kombëtares shqiptare e kërkon përsëri Uest Hemi. Trajneri Dejvid Mojes, pasi mbylli në mënyrë triumfale sezonin e kaluar me fitoren e Ligës së Konferencës, dëshiron të përforcojë skuadrën për edicionin e ardhshëm. Broja do të ketë shans të luajë në Ligën e Europës me londinezët, e po ashtu në Premier Ligë. Për momentin, sulmuesi 21-vjeçar kuqezi po vazhdon riaftësimin pas dëmtimit të rëndë të pësuar dhjetorin e kaluar.

Ai u aktivizua pak sezonin e kaluar për shkak të konkurrencës së madhe tek Blutë e Londrës, duke mundur të shënonte vetëm një gol e të ndihmonte ekipin për aq minuta sa ishte në fushë. Edhe në të kaluarën, Broja ka luajtur i huazuar nga Çelsi, siç ndodhi tek Sauthemptoni ku u vlerësua si njëri nga lojtarët më të mirë të rinj të Premier Ligës. Gjithsesi, në “Stemford Brixh” do të mendohen për të vendosur nëse do ta mbajnë shqiptarin në ekip, do ta huazojnë përsëri apo do t’ia shesin përfundimisht kartonin.

Sfidanti.al