Kontrata “detyron” Juventusin të mbajë trajnerin

Pjesa më e madhe e tifozëve janë kundër tij. Edhe një pjesë e aksionerëve të klubit nuk e duan, por në fund Masimiliano Alegri do të qëndrojë te Juventus. Pas përfundimit të një sezoni dramatik, brenda dhe jashtë fushës së lojës, e ardhmja e teknikut ishte në dyshim të fortë. Asgjë e re, pasi edhe gjatë kampionatit, pankina e Alegrit u vendos disa herë në pikëpyetje. Gjithsesi, trajneri ka fituar ndaj të gjithë kundërshtarëve dhe jo për meritat e tij sportive.

Shkak është kontrata që e mban të lidhur me “Zonjën e Vjetër”. Nëse Juventus vendos të shkarkojë teknikun, atëherë duhet të paguajë 43 milion euro. Një shifër shumë e lartë dhe një shpenzim i pamendueshëm në këtë moment të vështirë për klubin. Në këtë mënyrë, Masimiliano Alegri e ka të sigurtë pankinën e tij dhe nuk priten zhvillime, vëtëm nëse ndodh e papritura e madhe dhe trajneri vendos të heqë dorë nga kjo kontratë. Por kjo është e pamundur.

Sfidanti.al