Zakonisht nuk ndodh kështu pasi fitohet. Gjithsesi, duket se Partizani ka vendosur të marrë shembull nga Napoli, pasi ka nisur ndryshimi i kupolës teknike të klubit dhe të ekipit. Vendimi i parë është ai i mbylljes së bashkëpunimit me drejtorin sportiv, Elton Marini, i cili erdhi në detyrë verën e kaluar. Edhe pse së bashku u fitua titulli, sërish presidenti Demi dhe drejtuesi tjetër i lartë Olsi Rama menduan që drejtori të mos vazhdonte në detyrë. Pas largimit të Marinit, natyrshëm ngrihen pikëpyetje për të ardhmen e trajnerit Xhovani Kolela.
Ky u bë i pari italian që del kampion në Shqipëri në stolin e një ekipi, por burime në klub pohojnë se bashkëpunimi vështirë të vazhdojë. Kolela ka edhe një vit kontratë, pasi e tillë ishte klauzola në rast fitoreje të kampionatit, por synimi duket se do të jetë një ndarje me mirëkuptim. Jo vetëm kaq, por kanë nisur të përfliten emrat e pasardhësve të tij të mundshëm, që mund të jenë nga Kroacia, ndërsa përfliten emra si Tomislav Stipiç apo Mario Tokiç.
Sfidanti.al