Nuk pritën shumë për të marrë vendimin. Vllaznia mbylli bashkëpunimin me trajnerin Goce Sedloski, dhe tashmë do të nisë kërkimin e një tjetri, ndërsa maqedonasi u falenderua për punën e bërë dhe iu urua sukses në të ardhmen, siç është tradita. Tekniku nga Maqedonia e Veriut punoi vetëm për një muaj e gjysmë me skuadrën shkodrane, një periudhë krejt e pamjaftueshme për të treguar veten, por kaq i mjaftoi drejtuesve në “Loro Boriçi” që të nxirrnin përfundimin. Sipas burimeve në klub, arsyeja kryesore e largimit të Sedloskit është se nuk arriti të ambientohej me skuadrën, duke mbetur pjesë e huaj e duke mos pasur ndikim tek lojtarët.
Dyzetetetëvjeçari, që fitoi titullin në Maqedoninë e Veriut me Shkupin, u eliminua nga Kupa e Shqipërisë, por arriti të kualifikonte ekipin në Europë. Trajneri merrte një rrogë prej rreth 4 000 eurosh në muaj, ndërsa ishte i treti njeri i stolit tek Vllaznia. Cili do të jetë tekniku i ri kuqeblu? Në Shkodër të thonë se do të ketë dy javë pushim, e pastaj do të kërkohet, por me gjasë skuadrën mund ta drejtojë edhe një shkodran. Në varësi të trajnerit do të vendoset edhe për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm, pra nëse do të jetë me emra të njohur apo jo.
Sfidanti.al