Luiza Gega dhe Franko Burraj më të mirët në kampionatin kombëtar!

Fitues nuk ishin aspak surprizë. Tirana për femra dhe Vllaznia për meshkuj dominuan kampionatin kombëtar të atletikës të zhvilluar për dy ditë me radhë në Elbasan. Dy skuadrat e traditës ia dolën që të arrinin një tjetër fitore, që ishte e pritshme, ashtu siç ishin edhe triumfuesit individualë.  Në “Elbasan Arenë”, atletët më të mirë u shpallën Luiza Gega për femra dhe Franko Burraj për meshkuj, me kampionen e Europës që mori 1153 pikë dhe me shkodranin që fitoi 1031 pikë. Gega e Tiranës fitoi në garën e saj të përhershme 3 000 metra me pengesa, me kohën 9’36”58, dhe po ashtu ia doli në 10 000 metra. Burraj, që është atlet i Vllaznisë, fitoi në 200 metra me 21”25, si dhe ndihmoi ekipin shkodran në stafetë. Bie në sy fitorja e Bledar Mesit në 1500 metra dhe 3 000 metra me pengesa, që merr pjesë edhe në kampionatin e veteranëve, por që arrin të dalë i pari edhe tek të rriturit. Për femra, Tirana la pas Skënderbeun e Partizanin, ndërsa për meshkuj Vllaznia doli e para ndaj Skënderbeut e Teutës.

Sfidanti.al