Klaus Gjasula rikthehet në Bundesligë, një kuqezi në elitën gjermane!

Një festë që u shty, por që nuk mund të mos ndodhte. Një skuadër modeste si Darmshtati u ngjit sërish në Bundesligën gjermane, dhe bashkë me të edhe një futbollist shqiptar. Ky është Klaus Gjasula, i cili gjithashtu nuk e ka për herë të parë këtë sukses. Mesfushori kuqezi ishte titullar për Darmshtatin në fitoren 1-0 në shtëpi ndaj Magdeburgut në javën e 33-të të Bundesligës së dytë, pra ngjitja u arrit një ndeshje para fundit. Gjasula ka qenë në elitën e futbollit gjerman në sezonin 2019-2020, në atë kohë me Paderbornin, kur gjysma e dytë e edicionit u godit nga pandemia e koronavirusit.

Lojtari 33-vjeçar shënoi dy gola dhe shërbeu dy asistë atëherë, duke e ndihmuar ekipin që të siguronte mbijetesën. Më pas, ai luajti për një emër të madh në Gjermani si Hamburgun, për të kaluar më pas te Darmshtati që ngjitet në Bundesligë pas 8 vitesh, për herë të parë që nga 2015-ta. Gjasula është vlerësuar shpesh si mesfushor shumë luftarak, madje shpesh duke e tepruar aq sa është edhe rekordmeni i kartonëve të verdhë. Në total, ai ka mbi 100 ndeshje në dy kategoritë e para të futbollit gjerman.

Sfidanti.al