Holanda kërkon trajner, pasi “zëvendësi” i madh, Blind, u shkarkua!

Dani Blind ka qenë një mbrojtës i madh i Ajaksit dhe i Holandës. Një nga lojtarët më të mirë të botës në rolin e tij, nuk arriti të kthehej në një trajner të madh, ndonëse punë përgatitore nuk bëri pak. Ai që tani është ish-trajner i Holandës, u shkarkua nga Federata pas humbjes 0-2 në Bullgari, ndërsa “tulipanët” janë në vendin e katërt në grupin eleminator të Botërorit, 6 pikë pas vendit të parë.

Blind u përgatit jo keq për detyrën e madhe. Ai ishte ndihmësi i Luis Van Galit dhe pastaj i Gus Hidinkut, ndërsa në 2015 u bë trajneri i parë i tri herë nënkampionëve të botës. Gjithesi, nuk i shkoi mbarë ndonëse u shpreh se “ishim në rrugë të mbarë, më vjen shumë keq që përfundoi kështu”. Federata e vlerësoi dhe shtoi se “për fat të keq, jemi të detyruar t’i themi Blindit lamtumirë”.

Cili do të jetë trajneri i ri i Holandës? Një kërkim shumë i vështirë, pasi emrat kryesorë e kanë konsumuar periudhën e tyre në stol, ndërsa për momentin nuk duket ndonjë trajner i rëndësishëm në horizont. Ekziston një mundësi që Frank De Bur, i larguar nga Interi, të merret nga Federata, por në miqësoren ndaj Italisë në Amsterdam, në stol do të jetë trajneri i U21-it, Fred Grim.

Sfidanti.al