Eurosport kujton shqiptarët: falenderoni Platini-në

Eurosport.com ka shkruar se Shqipëria ka shkuar në Euro 2016 fal vendimit të ish presidentit të UEFA-së, Michel Platini, i cili vendosi ta rrisë numrin e skuadrave pjesëmarrëse në Evropian

Ndeshja përballë Italisë e vendosi kombëtaren shqiptare të drejtuar nga Gianni de Biasi në vëmendjen e opinionit sportiv ndërkombëtar.

“Eurosport.com” në versionin italian ka bërë një analizë rreth ndeshjes mes Italisë dhe Shqipërisë, e cila u zhvillua të premten në Palermo.

Në këtë shkrim thuhet se Shqipëria ka shkuar në Euro 2016 fal vendimit të ish presidentit të UEFA-së, Michel Platini, i cili vendosi ta rrisë numrin e skuadrave pjesëmarrëse në Evropian

“Që pas kualifikimit në Europian dhe fitores ndaj Rumanisë, është folur shumë për një progres historik të Shqipërisë, dhe me të drejtë. Por, fakti është se pa zgjerimin e numrit të pjesëmarrësve në Kampionatin Europian, i realizuar nga ish-presidenti Michel Platini, kombëtarja e De Biasit do ta shikonte Francën vetëm në hartë”, shkruan “Eurosport”.

“Progresi i viteve të fundit është i dukshëm: një organizim i mirë, shumë lojtarë që luajnë në Serinë A, një skuadër e aftë për t’u përballur me këdo. Por, hendeku që ndan shqiptarët nga më të mëdhenjtë e Europës, siç u pa dhe në ‘Renzo Barbera’, është ende mjaft i qartë”, shkruan “Eurosport”