Pires: Më e rëndësishmja për Arsenalin është që Vengeri të mos ikë

Shumë po flitet, gjatë kohëve të fundit, për largimin eventual të dy lojtarëve kryesorë, Mesut Ozil dhe Aleksis Sançez, nga Arsenali, por ish-pjesëtari i përfaqësueses franceze, Robert Pires, që, gjithashtu, ka luajtur edhe me “topçinjtë”, konsideron se Arsenali, në asnjë mënyrë, nuk duhet të lejojë largimin e trajnerit kohëgjatë, Arsen Venger, nga ky ekip, duke qenë se ai është jo vetëm një trajner klasi, por edhe sepse ai e njeh mjaft mirë këtë ekip, duke qenë se ka  mëse 20 vite që e drejton atë. Kohët e fundit, shumë tifozë të Arsenalit po kërkojnë largimin e Vengerit nga ekipi, me pretendimin se ky ekip ka kohë që nuk është më konkurrent për trofe të rëndësishëm. Kështu që, tani, mbizotëron dilema, nëse Vengerit do t’i ofrohet ndonjë kontratë e re.

Javën e kaluar, në fakt, ky trajner francez tha se ka shumë mundësi që ai, së shpejti, të njoftojë vendimin përfundimtar, kështu që, shumë shpejt, do të bëhet e ditur, nëse ai do të vazhdojë që të qëndrojë tek Arsenali apo do të largohet. Piresi shpreson se vendimi i tij do të jetë pozitiv dhe se, për të, më e rëndësishme është kontrata e re e Vengerit sesa ato të Ozilit ose të Sançezit. “Shpresoj se Ozili dhe Sançezi do të qëndrojnë tek Arsenali, bisedimet janë të vështira e të komplikuara, por më e rëndësishme është që Vengeri të vazhdojë bashkëpunimin me këtë ekip. Klubi ka nevojë për stabilitet dhe Vengeri është ai që mund t’ia sigurojë atë edhe në sezonin e ardhshëm”, theksoi Robert Piresi.

sfidanti.al