Rihapet gara për titull në Superligë!

Tirana humbi dhe se ç’kishte një dyshim se kjo gjë do të ndodhte. Nuk dihet pse, por parandjenja sillej rrotull se kampionët këtë sezon nuk dukeshin aq të fortë dhe të qendrueshëm sa e tregonte diferenca në pikë me Partizanin. Në të vërtetë, goditja u mor në Durrës, në humbjen 1-2 me Teutën edhe pse bardheblutë kryesuan 1-0 me golin e Haxhiut. Emiliano dhe Lorenco Vila shënuan golat e përmbysjes për durrsakët. Jo vetëm kaq, por gjyqtari Hamiti nxorri kartonë duke “eliminuar” disa lojtarë të Tiranës për derbin ndaj Partizanit, ndeshja e radhës në Abisnet Superligë. Behiraçe u përjashtua me karton të kuq, ndërsa Hila e Hasani morën të verdha dhe nuk do të luajnë as ata në derbi.

Kjo humbje e Tiranës u kombinua me fitoren e Partizanit, 3-1 në stadiumin e tij ndaj Kukësit. “Demat” pësuan gol që në fillim prej Gjelbrim Taipit, por kuksianët nuk bënë dot më shumë se kaq. Da Silva me penallti dhe Atanaskoski përmbysën që në pjesën e parë, ndërsa Da Silva shënoi menjëherë pas pushimit duke vulosur rezultatin. Tirana kryeson Superligën me 59 pikë ndaj 57 të Partizanit.

Sfidanti.al