Ishte i suksesshëm në punën e tij, por duket se nuk pati vlerë. Ervin Skela, që cilësohet legjendë e Frankfurtit dhe e kombëtares shqiptare, e realizoi misionin që i besuan sepse ia doli të siguronte mbijetesën për Ajntrahtin U19. Gjithsesi, për vlonjatin kuqezi përfundimi ishte një zhgënjim i madh. E përditshmja “Bild” informon se klubi gjerman nuk e konsideroi të nevojshëm vazhdimin e bashkëpunimit me 46-vjeçarin. Emri i Skelës nuk ishte në listën e trajnerëve të Akademisë për sezonin e ardhshëm, edhe pse ai ka kontratë deri në qershor të vitit 2025. “Bildi” habitet sepse ish-mesfushori ka qenë shpëtimtar vitet e fundit për ekipet e moshave, duke shpëtuar fillimisht Ajntrahtin U17 dhe këtë vit ekipin e 19-vjeçarëve.
“Unë kam edhe dy vjet kontratë. Shpresoja të më jepnin një shans. Unë kam qenë lojtar i Frankfurtit për shumë kohë. Nuk e di se çfarë po ndodh”. Ai e mori detyrën tek Frankfurti U19 në fillim të këtij viti pas shkarkimit të ish-trajnerit Agoviç dhe ia doli mbanë. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, ndërsa kontrata e Skelës me klubin vazhdon.
Sfidanti.al