Një fitore e vogël, por është një sukses që ka vlerë në një moment të tillë të sezonit. Tirana triumfoi 2-1 ndaj Kukësit dhe u ngjit e vetme në krye të renditjes së Superligës shqiptare të futbollit. Sërish shënoi Hasani, që është kthyer në një pikë referimi për kampionët në fuqi të vendit. Skuadra e trajnerit Orges Shehi nuk e pati aspak të lehtë, siç e tregon edhe rezultati, por gjithsesi suksesi u arrit dhe tani bardheblutë kanë 2 pikë më shumë se Partizani i vendit të dytë që barazoi në Rrogozhinë ndaj Egnatias. Tirana ka 50 pikë ndaj 48 të të kuqve, dhe ka golaverazh më të mirë (+18 ndaj +10), ndonëse skuadra e Kolelës ka bilanc më të mirë në derbi. Ndoshta shpreson ta zgjidhë çështjen e titullit në derbin e fundit.
Sfidanti.al