Është tepër i ri, por tepër i dalluar. Stiven Shpendi vazhdon të tërheqë vëmendjen në Itali, edhe pse luan në Serinë C, pasi 12 gola në moshën 19-vjeçare nuk janë aspak gjë e vogël. Sulmuesi shqiptar shënoi në ndeshjen e fundit që Çezena e fitoi 6-1 në fushën e San Donatos, duke vazhduar ecurinë mjaft pozitive. Përveç rrjetës që ishte për rezultatin 3-1, Shpendi shërbeu edhe asistin për golin e katërt, duke treguar se di ta ndihmojë ekipin në disa mënyra. Kjo formë e 19-vjeçarit ka bërë që për të të interesohet trajneri i kombëtares.
Silvinjo ka marrë informacion për futbollistin që ka luajtur për ekipet kuqezi të moshave, U19 e U20 dhe tani është tek Shpresat. Pritet që braziliani t’ia japë një shans sulmuesit duke qenë se ai bazohet më shumë tek forma e momentit sesa tek emri, diçka që e tregoi në ndeshjen në Poloni ku aktivizoi si titullar mbrojtësin Mihaj, pasi e ndoqi në stërvitje. Shpendi është shënuesi i dytë më i mirë tek Çezena, pas sulmuesit kryesor Simone Korraca që ka shënuar 17 gola, por që është një veteran 32-vjeçar me shumë përvojë.
Sfidanti.al