Egnatia mbetet e papritura e Superligës, fiton në Kukës dhe ngjitet e treta!

Pritej të ndodhte ndryshe, por ky sezon e kishte treguar edhe më parë se është i veçantë. Përtej cilësisë që nuk duket edhe aq e lartë në Abisnet Superligë, rezultatet kanë qenë surpriza të vërteta, dhe një të tillë e dha sërish Egnatia. Skuadra nga Rrogozhina u ngjit e vetme në vend të tretë pas fitores së thellë 3-0 në fushën e Kukësit. Në një terren që të lejon të luash futboll, Egnatia tregoi cilësitë e saj, ndonëse priti shumë për të arritur avantazhin. Në “Arenën e Kukësit” shënuan Duamena në 44’, dhe në pjesën e dytë Xhekson me penallti e Fernando fare në fund. Skuadra e trajnerit Edlir Tetova ka 41 pikë, duke pasur shanse reale matematikore për titullin, ndonëse do të ishte shumë e kënaqur me një vend në Europë.

Kukësi, ndërkaq ishte zhgënjim dhe ndali marshimin e tij drejt kupave kontinentale. E papritur edhe në Shkodër, ndonëse me sens tjetër. Vllaznia vendase, që këmbëngul se vazhdon të pretendojë për titull, nuk mundi të shënonte asnjë gol në portën e Bylisit, duke e mbyllur sfidën në barazim 0-0. Pavarësisht epërsisë territoriale, shkodranët ishin të pafuqishëm në “Loro Boriçi” duke mbetur edhe më prapa Partizanit e Tiranës, dhe shpresa e vetme e tyre duket në Kupën e Shqipërisë.

Sfidanti.al