Kosova dështon në mundësinë e artë për të marrë fitoren e parë në eliminatoret e Euro 2024. “Dardanët” zhgënjyen të gjitha parashikimet, duke barazuar 1-1 në Prishtinë kundër Andorrës, skuadrës më të dobët në grupin I. Pas barazimit 1-1 në transfertën e Izraelit në premierën e këtyre eliminatioreve, pritshmëritë ishin të mëdha për skuadrën e drejtuar nga Zhires. Por ato nisën të sfumoheshin në fundin e pjesës së parë. Lojë e vakët e të zotëve të shtëpisë, që nuk arritën të gjejnë rrugën e rrjetës, ndërsa rezultati do të qëndronte i pandryshuar deri në pushimin e sfidës. Me rikthimin në fushë për fraksionin e dytë, Kosova ndryshoi ritëm dhe në minutën e 59-të kaloi në epërsi me Zhegrovën.
Por festa e skuadrës kosovare dhe tifozëve të saj në tribunat e “Fadil Vokrrit” zgjati shumë pak. Vetëm dy minuta më pas Andorra surprizoi vendasit, duke shënuar golin e barazimit me Rosas. Të kota përpjekjet e Kosovës deri në fundin e ndeshjes, duke i lejuar rivalëve një barazim historik në transfertë. Kjo ndalesë bën që “Dardanët” të qëndrojnë në vendin e tretë me vetëm dy pikë në dy ndeshjet e Grupit I, por misioni për një biletë në finalet e Euro 2024 bëhet menjëherë i vështirë, pasi Zvicra dhe Rumania kryesojnë me pikë të plota.
Sfidanti.al