Është ende mjaft i ri, por duket sikur për të ka kaluar shumë kohë. Arlind Ajeti mbahet mend nga tifozët e kombëtares si njëri nga heronjtë e ekipit që arriti finalet e Kampionatit Europian në 2016 në Francë, ndërsa sot është disi larg famës. Gjithsesi, edhe pse luan në Serinë C në Itali, qendërmbrojtësi 29-vjeçar e ka gjetur mënyrën për të spikatur. Edhe pse luan në prapavijë, kjo nuk e ka penguar që të shënojë 5 herë për Pordenonen.
Goli i fundit erdhi këtë mesjavë, në ndeshjen shtëpiake ndaj Piaçencës, fituar me rezultatin 2-1. Ajeti ishte autori i golit të parë duke i hapur rrugën suksesit. Sezoni nuk ka qenë i lehtë për të, por ndonëse nuk ka luajtur në 5 ndeshje këtë kampionat për shkak dëmtimi e pezullimi, sërish kjo nuk e ka penguar që të realizojë rregullisht, dhe të ndihmojë skuadrën. Me kontributin e rëndësishëm të Ajetit, Pordenone është në vendin e tretë në Serinë C, duke qenë vetëm tri pikë larg kreut. Pra, janë të gjitha mundësitë për t’u synuar Seria B, ndërsa shqiptari nga Kosova nuk ka hequr dorë nga ëndrra për t’u kthyer në elitën e futbollit italian.
Sfidanti.al