Nuk dihet se kur do t’i veshë sërish këpucët me thumba. Armando Broja si çdo lojtar tjetër në botë nuk ka dëshirë më të madhe sesa të dalë në fushë e të luajë futboll, veçse dëmtimi do ta pengojë gjatë. Një mëkat i madh sepse statistikat flasin se ai ka qenë një nga lojtarët e dalluar të Çelsit këtë sezon. Edhe pse u aktivizua fare pak për aq kohë sa nuk ishte i dëmtuar, dhe mundi të shënonte vetëm një gol, sërish ylli kuqezi e tregoi veten. Mediat angleze shkruajnë se Broja ka rendimentin më të lartë ndër të gjithë futbollistët e Çelsit kur vjen puna te mesatarja gjuajtje për gol.
Sulmuesi 21-vjeçar e ka efikasitetin mbi 33 për qind, duke lënë prapa të tjerët si Maunt, Haverc apo Obamejang. Prania e tij në ekip do të ishte një ndihmë e madhe, aq më tepër me Çelsin që këtë edicion ka nevojë për 10 gjuajtje në portë që të shënojë një gol. Kjo, pavarësisht se vetëm në janar u shpenzuan gati 300 milionë paundë stërlina, si anjë klub tjetër në botë. Për fat të keq, Broja do të kthehet vetëm sezonin e ardhshëm, ndërsa rendimenti i tij pritet ta bëjë klubin që ta mbajë për shumë vjet.
Sfidanti.al