Reali nuk di të vdesë, as kur “e vrasin” në “Anfild”!

Jo më kot është 14 herë kampione e Europës, dhe jo më kot është kampione në fuqi. Një skuadër e tillë, që e bëri emrin e madh që në origjinën e Kupës së Kampionëve, vazhdon ta shfrytëzojë emrin e madh dhe fanelën magnetike që ka. Reali i Madridit tregoi se mund të përballojë edhe situata nga më të vështirat, madje edhe kur është në humbje 0-2 që në 14 minutat e para në stadiumin më tmerrues të botës, “Anfild”. Aty ku Barcelona e Mesit u mund 0-4 disa vjet më parë dhe u eliminua turpshëm, Reali i Karim Benzemasë realizoi përmbysjen ndoshta më të madhe të historisë për të fituar 5-2 ndaj Liverpulit vendas.

Ishte sukses jo ndaj të kuqve të çoroditur të disa javëve më parë, por kundër ekipit që kishte fituar dy ndeshjet e fundit në Premier dhe që ishte me shpresë. Daruin Nunjez dhe Salah shënuan për anglezët, veçse Vinisius arriti të barazonte që në pjesën e parë. Mediat spanjolle shkruan se sulmuesi brazilian u ngjit më në fund në nivelin e Kilian Mbapesë apo Erling Halandit që mund të ndryshojnë të vetëm fatin e një ndeshjeje. Vinisius shënoi dy gola, Militao i dha epërsinë kampionëve të Championit, ndërsa Karim Benzema shënoi dy golat e tjerë.

Kurrë ndonjëherë më parë nuk i kishte ndodhur Liverpulit një gjë e tillë. E vërteta është se Reali e meritoi, pasi bëri më shumë, pati më shumë gjuajtje drejt portës dhe në kuadrat. Nuk dihet nëse të besuarit e trajnerir Karlo Ançeloti do të realizojnë sërish këtë vit atë që bënë vjet, pra që fituan Championsin duke eliminuar gjithë pretendentët rrugës, por e sigurt është që janë në rrugën e duhur.

Sfidanti.al